Arben Çokaj

Letërsi

Tregime

( Disa nga tregimet e mia… )

[ Short Stories ] – EN

[ POEZI ]

MBINGOPJE

Toka ishte mbuluar kudo me ujë. Barishte të dekompozuara jetonin si mbretëri shushunjash. Nëse vendosje këmbën mbi to, fundoseshe menjëherë, si në një baltë thithëse. Çizmet përdoreshin ndonjëherë si varka të vogla shpëtimi, por me to, asgjë s’ishte e sigurtë. Ishte njësoj si të luftoje me pistoleta ping-pongu kundër një breshërie topash. Shushunjat të pinin gjakun. (Veç të mos u bije në sqep)…

I gjithë vendi ishte i populluar së tepërmi nga këto banorë të veçantë. Diku takoje ndonjë pemë të qullët. Diku një varkë të harruar. Rrënjët e pemëve ishin të ngulura në fundin e një mase të paqëndrueshme balte, që s’mund t’i besoje. Ishte e çuditshme. Asnjë s’mund ta besonte, se do vinte një kohë e tillë…

Mbingopje e ujët. Gjethet e barit ishin mbuluar nga njolla kafe në të zezë. Ato s’mund të pinin më. Ndërkohë, fëmijët vazhdonin të lindnin të dobët. Askush s’mund t’i shëronte njollat e barit. Ishte sëmundje e përgjithshme. Toka ishte bërë vetëvrasëse.

Megjithatë, toka rezistonte…


 

KUR JETA THJESHTËZOHET NË ORGANET GJENITALE

Kanaçe teknologjike. Se si më erdhi në mendje kjo fjalë. Shoh buzë tek ngjiten me afsh. Përjetim grotesk bardhë e zi. Kaloj në heshtje ballë sekuencave filmike jetuese. Askush s’e vë re ecjen time. Më gëzon fakti i kësaj moskujdesjeje. Në të vërtetë, pëlqej të jem moskujdesës. Sekuencat filmike më lënë shije kërpurdhash. Bëj sikur ha. Ndonëse ha shumë. Kaloj nëpër mendje atë që pashë në heshtje. Buzët që ngjiteshin. Afshin e lodhur grotesk. Përçudshëm ndërhynin ngjyrat bardhë e zi. Interferoheshin. Ngjethje mishi. Ndërthurje përziese.

Në këtë vend ka pak kohë që kam ardhur. Pak ditë për të parë atë që ndodh së tepërmi. Një bjondinë me qenin e saj spërdridhet në stacion. Hedh sytë nga kalimtarët. Buzëqesh me gjithë shpirt, që i buron diku poshtë… Në një zonë lokalizohen mendtë. Dikush thotë: “Mendtë përqendrohen mes këmbëve!”. Përfundim i studimit të fundit të institutit fiziologjik. Koncept modernist vlerësues. Ashtu si ajo bjondja në stacion. Qeshte me të madhe, kur një zezak i tregonte me dorë organet gjenitale.

Ajo kënaqej dhe ai, zezaku, pëlliste me zë baritoni: “Ha, ha… Ha, ha!” Me dorë vazhdonte të paraqiste këmbën e tretë. Gjënë më të vlefshme në trupin e vet. (Ka thashetheme që thonë se zezakët janë mjaft të shëndetshëm në k’të pikë.) Ndaj dhe bjondja qeshte. Ndaj dhe zezaku pëlliste. Bënin seks e hanin çokollata, …se jetës i duhen shijuar resurset e natyrës.

Pëlqenin reklamat. Muzikë, a-ha muzikë. ‘Heay metal’. Vdekje përgjëruese mbi gjunjtë e saj. Pilulat kontraceptive, dorë me një. Simultantët…, para krevatit…

Në sallën e madhe qenë vendosur raftet. Në një rresht si koka ushtarësh. Zërat e largët pakuptueshëm dëgjoheshin turbull. Një qarje fëmije dyngjyrësh, më brente shpirtin. Vijoja ecjen krah filmit jetues. Mollat po kalbeshin në degë. Shërbenin si ushqim për zogjtë. Në natën pa hënë, vetëm dhëmbët i shëndrisnin qënies. Në ditën pa diell, bjondina qeshte në kënaqjen e saj periodike.

Dëshirat ngatërrohen në pamundsinë e kënaqjes. Kërkim shansesh të humbura. Në stacionin e trenit, çifti b-z nuk e ndalonte qeshjen. Qeshte me shekullin e kaluar. Apo me çuditë e shekullit të ri?! Fëmija që qante, më kujtonte sallatën e drekës. Ndaj dhe Sokrati e piu kupën e helmët… për respekt ndaj ligjeve të njerëzimit.

S’di se pse më erdhi në mendje kjo fjalë, ‘kanaçe teknologjike’.


 

REGJIZORI

“Ti nuk pi?” – më pyeti një zë dhe një paketë cigaresh m’u drejtua.
“Jo!” – u përgjigja unë.
“As alkohol?!” – vazhdoi zëri pyetsor në atë anglishten e tij të çalët.
“As alkohol !” – fola unë qetësisht.
“Po ndonjë shoqe, a ke momentalisht?”
“Fatkeqësisht, jo,” – ia ktheva unë, duke rrudhur supet dhe duke hapur paksa duart me habi.

Ai qeshi me të madhe. Qeshja e tij elektrizoi edhe të tjerët, që po na dëgjonin dhe kështu u bë një qeshje korale, që më tepër i ngjante asaj gumëzhitjes së patave, kur ndokush u futet në mes.

“Atëherë, pse jeton?!” – buroi zëri i tij kumbueshëm përmes dhëmbëve të plakur, që mbytej i valëzuar me atë të qeshurën e veçantë, në kënaqësinë e thënies së diçkaje të zgjuar.
“Po unë tani sa kam ardhur…” – u mundova unë të justifikoj veten, por fjalët e mia disi të trishtuara, nuk mundën ta frenonin qeshjen e atyre njerëzve, që në të rrallë, flisnin një anglishte të mangët.

Ishte një refren i dëgjuar. Fjalët e regjizorit më kujtonin vitet e para studentore për tre cilësitë e studentit, por nuk e di se pse në këtë rast ato më lanë një shije jo fort të këndshme.

* * *

Jetonim në një kamp të vogël, i cili kishte formëm e një drejtkëndëshi dhe ndërtesat konsistonin në një katëshe, jo shumë simpatike, si kapanone. Jeta dukej e vështirë në atë izolim të tërthortë dhe në atë pamundësi frymëmarrjeje. E megjithatë, në thellësinë e saj të vyshkur, mundoheshim të gjenim të bukurën, si ushqimin më të pazëvendësueshëm për jetën.

Ishte ditë e shtunë. Një diell i dobët rrezatonte pas reve, që herë pas here tregonin pamëshirën për t’a mbuluar atë krejtësisht, duke bërë që era të na depërtonte disi më thellë me akullsinë e vet. Kisha dalë krejt rastësisht dhe bluza e hollë që mbështillej pas trupit, dukej se më ngrinte edhe më tepër. Hunda filloi të më rridhte me piklat e një lëngu të ftohtë dhe kështu më lindi nevoja që të përdor shpeshherë shaminë, që kisha futur diku në xhepin e pasmë të pantallonave.

Depërtova lehtë dorën në belin e saj dhe i thashë: “Eja t’i vidhemi këtij vendi të ekspozuar ndaj erës dhe shikimit të njerëzve.”

Për çudi, si asnjëherë tjetër, në indiferencën e tyre, të gjithë ata që kalonin aty pranë, po tregoheshin tepër të mirësjellshëm, gjë për të cilën, pikërisht në ato momente, nuk kisha nevojë. Ajo provoi t’i shmangej dorës sime dhe papritur u ngatërrua në një manaferrë, e gati sa nuk i grisi streçet e saj të holla, nën të cilat prisnin me ankth dy këmbë të drejta e të bukura.

“Mos provo të largohesh nga unë,” – i thashë duke buzëqeshur, – “se ferrat do të presin…”

Ajo qeshi. Qesha dhe unë.

“Pse më shikon ashtu?” – më pyeti, pasi sytë tanë ishin harruar disi në një shikim të ndërsjelltë.
“Sepse ti më shikon ashtu!” – u përgjigja unë menjëherë…

E ndieja se po bëja një mëkat. Mëkatin më të këndshëm dhe më të paevitueshëm në botë. Ajo iu bashkua trupit tim dhe të dy ngjitur, ecëm e u fshehëm diku, pas një muri tek salla e lojrave të atij qyteti të vogël. S’donim të na rrihte era, e për më tepër nuk donim të na vrisnin shikimet e njerëzve.

Ndërkohë e preka lehtë në fytyrë, ashtu siç ishim afër e afër, pastaj e pyeta për flokët që i kishte të dredhura në bishtaleca të hollë, si afrikane. Flokët e saj të gjatë e të derdhura, me ato grrecat e tyre, e pengonin natën kur flinte. E putha lehtë në faqe. Ishte një nga ato puthje që të ndez më shumë, se sa puthja e vrulltë dhe e afshët.

Më pas guximi im u shtua dhe puthjet kaluan në sipërfaqen e lejueshme të fytyrës, mbi vetulla, qerpikë, hundë e për të përfunduar në buzët e saj të plota. Gjithçka bëhej aq lehtë, saqë dukej sikur nuk donte t’a prishte magjinë me papërmbajtjen e saj – atë bukuri të qetë e të pastër ëngjëllore. Por buzët e saj njomështake se si m’u dukën. Më dhanë një ndjesi çuditërisht të këndshmë, që përzihej me një joshje fluturake.

U mbështet tek unë, ashtu e ngrohtë, e përshkruar nga një i kuq i flaktë, që e shtonte edhe më ëmbëlsinë e fruteve sapo të pjekura.
“Jam e rrezikshme,” – foli ajo disi pa zë.
“Pse, do më vrasësh?”
“Do të të vras në zemër!…” – vështroi ajo thellë në sytë e mi, disi e turbulluar.
“Pothuajse më ke vrarë,” – buzëqesha unë.

Një njeri kaloi aty pranë. Për fat të mirë nuk na i hodhi sytë fare.

“Oh, zot!” – thirri ajo kur ai po kalonte qoshen e ndërtesës.
“E njihni?” – pyeta unë i habitur.
“Është një shok i babait…”

Megjithatë, ne nuk e prishëm mëkatin tonë. Mëkati s’ka se si të mëkatohet. Ajo kishte nevojë të harronte diçka, kishte nevojë të ngrohej larg asaj ngrice ere të ftohtë. U afrova përsëri me atë lehtësinë e një balerini me përvojë dhe e mora në krahë, ashtu të plogësht siç ishte. Me çelësin që kisha në xhep, hapa derën e palestrës ku bënim ushtrime ‘body-building‘-u, u shtrimë në njërin nga dyshekët sportivë të atjeshëm dhe veprimet tona filluan të ngjalleshin, filluan të shtonin frymëmarrjen…

Që nga ajo ditë, regjizori s’më fliste më si më parë.

Poezi

( Disa nga poezitë e mia… )

[ TREGIME ]

[ PoetryEN ]

[ Lirika danezeAL ]

Dashuri e një femre

Ata ishin mbledhur bashkë
Do shkonin diku lart
Atje ku të tjerët nuk munden…

Në kujtesën gjysmë-përgjumur të natës
rikthehet këndshëm dashuri e një femre
një imazh i saj i nëpërhumbur
dhe tekat e saj lozonjare…

Ishte e çiltër, oh kohë e bukur!
e qetë, spontane, e dëshirueshme
një fjalë e imja fytyrën i kish skuqur
dhe ece-jaket e saj ekliptike…

Ishte herë e parë dukej, por s’më besohej
një vajzë moderne, inteligjente
se pse kish ndrojë, kjo nuk kuptohej
pasiguri e ndjenjës së fortë…

Dhe ne të dy u takuam papritur
mes njerëzve në një sallë të mbushur
një shkëndijë ndjenje fytyrën i kish ndritur
kështu e plogësht u preh tek unë…

Çudi, si para një skene mitike
ajo fytyrën e drejtoi nga unë
përkulem pak në ato momente kritike
dhe pjalmin e puthjes lamë në buzë…

31 gusht 2002

 

Dedikim

– E kujt tjetër veç ‘Albit’

Këmbëkryq mbi tavolinën e punës,
Nota trishtimi në faqen e kohës,
Heshtin të zhurmshmit larg paqes së brishtë,
Silueta moskokëçarëse në trokitjen e portës.
Vështrimin e hedh andej ku zë i humbur
Dëgjohet,
Ruaj heshtjen e amullt pakuptim,
Me grusht dua të godas çmendurinë,
Njerëzit s’kanë turp.
Nota trishtimi bien në faqen e kohës,
Petale fisnike ndrisin sytë e zinj,
Unë me shpirtin e grisur prehje nuk gjej,
Prehja, vdekje është.
Do largohem diku larg, diku do zhdukem,
Atje ku fytyrën të mos m’a njohin…
Në çantën e kujtesës do mbart kujtimet deri në vdekje,
Brejtjen e ndërgjegjes do e qëroj,
Si qepë në lakuriqësinë e saj.
Nota trishtimi mbesin në faqen e kohës,
Ti hesht, se flet gjykim i çmendur
S’do mund t’ia harroj mirësinë kësaj bote,
Të keqen e injoroj,
Në fundin e qefinit të vet…

Verë 1993 – para se të largohesha nga vendi im.

 

Jeta

Një kalë i harbuar dhe i pashtruar
Vështrim drite i hedhur nga jashtë
Përkohësisht. Aksidentalisht.
Shansi i borës së shpellave, kur rrezja e diellit
Bie rrallë,
Pavetëdije, nënvetëdije, vetëdije
Sjellje kaotike qëniesh që thirren
Njerëz!
Rregullsi përbindëshe dhe spontanitet
I dendur,
Marrëzi, çmenduri, mençuri
E pashembullt
Të shkrira në skulpturën amalgamë
Mendime, synime
Të lodhura
E të rilindura
Në natën e hënët
Buzëqeshje dhe qeshje
Qarje dhe sharje
Ndarje…
Perde e rënë.

Shtator(24) 1992

 


Regjizorët

Në kapërcyell të ndërrimit të viteve
Trishtimi buzëqeshjen përçudnonte
Njerëzit vazhdonin imitimin grotesk
Të veseve pa zakon të zakonshme.
Fluturonin pa shkak të nemitura dallëndyshet
Belbëzonin pa kuptim suflerët e largët
Fjalët rëndonin barkun e boshtë
Mungesë e ushqimit, trurin e mpinte vagullt.
Duartrokitjet anemike përgjonin me të drejtë
Fjalorin e skenartë të regjizorëve të varfër
Fytyrat që në ajër pamjet ndryshonin
Mendjekthjelltët s’do mund ti fytyronin.
Ti ëngjëll në tokë kaq keq kishe rënë
Mëkatet tokës do i merrje pa shpëtim
S’do mund të qeshje me dëlirësi
Se në qiell vendin e kishe ti.
Skenari famëkeq vazhdonte përjetimin
Pafajësia s’u hyn në punë të pafajshmve
Mjerisht njerëzit s’e dinë kuptimin
E ironisë së fatit që regjia shfaqte
Enigmës shpesh i jepte rrëfimin
Kalvari i mendimeve të heshtjes
Përsëritej tmerrshëm gjithnjë gjykimi
Të dish, do të thotë të vdesësh.

Janar(11) 1993

 

Rini e bordurave

Kënaqësia u përçudnua pllakave
Shpresat e humbën njeriun
Dhe puna s’punon më
S’po na tërheq as bari i gjelbërt
As lulet s’po dinë të çelin
Pranverës
Nga të ftohtit
Kanë filluar të pushojnë cicërimat
Shtegtarët s’kanë energji të fluturojnë
Fluturojnë ëndrrat e perëndimit
Lumturinë e bëjnë të gënjeshtrit
Shitjet pa parim
Të rinjtë ruajnë buzëqeshjen
Në moskuptim
Bordurat e lodhura shfletojnë
Librat e harruara
Grisin faqet si fletët e shpirtit
Në bordura flenë iluzionet e mëdha
Gëzojnë premtimet patetike
Në bordura thinj flokët e saj
Rinia.

Shkurt(22) 1993

 

Heshtje e përvuajtur

Asnjë fjalë
Heshtje
Një klithmë frike
Brejtje.
Jo! jo!
Diçka më shumë,
Heshtje…
Ej njerëz!
Madhështia nuk flet
Të tjerët flasin për të.
Në sytë e saj
Pazakonshëm ndrit
Dielli
S’e honeps
Ngërdheshjen
Hënën në pasqyrimin e
Ujërave të turbullta
Një copëz të artë e do
Për vete
Për të tjerët
Të bukurën që vuan
Të përvuajturën
Heshtje
Drithërimë e lehtë kristali
Shkëlqim diamantesh.

Korrik(11) 1994

 


Shkatërrim i një pasurie

Një pasuri, një mendje
Një trup si të tjerët
Një zemër
Një ndjenjë e çiltër
Një karakter të fortë
Një gjoks të bërë
Një kokë.
Tek shoh trupin tënd të zhveshur
Me linja të këndshme muskujsh
Bukurinë e fytyrës
Ëmbëlsinë e buzëve
Afshin e ngrohtë dashuror
Dehjen e lakmueshme
Misteri i imagjinatës më jep të drejtë
Të mendoj të pamendueshmen
Shkatërrimin
Fundin e jetës
Skeletin
Pas shumë vjetësh.

1992

 

Parafjalë

Nën diellin e nxehtë, lakuriq shtrihen pemët
kurrizdala
Toka avullon ujin e fundit të vesës së mëngjesit
Duket sikur qan gjethja se afrohet vjeshta
E shirave të këndshëm me rrëmbim…
Dhe frutave të ëmbël

Gusht 1992

 

Surfing

Valët e detit lëkundin varkën e velët
Rrugën drejtojnë ato të shpejta
Për akrobatin mbi ujë
Surfing – valët e dredhëta
Nga poshtë-lart e çojnë apo anasjelltas
Për ta hedhur dikur… në fund.
Valët e jetës të lëkundin krah njerëzve
Një tjetër
Një tjetër
Pa mbarim
Ngrohtësinë s’mund t’ua marrësh të tjerëve
Se frikesh për të dhënë ngrohtësi.
Valët e jetës s’e ruajnë radhën si ato të detit
Pa kuptuar mbivendosen
E unë jomirësjellës gjithmonë u kujtoj njerëzve
Rrugën të mos e humbin.

Gusht(26) 1992

[ NGJITU NË KRYE ]

Lini një koment

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e kërkuara shënohen me *